Sot, në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, u mbajt një organizim i veçantë për nxënësit e klasave të para, duke shënuar fillimin e vitit të ri shkollor. Mësueset e angazhuara në këtë aktivitet, Nexhmije Hamza, Fetanet Adili, Zejnure Zeqiri, Zulihare Osmani, Ardiana Asani dhe Liridona Bexheti, mirëpritën nxënësit e rinj me shumë entuziazëm dhe përkushtim.

Në këtë ditë të rëndësishme, ishte organizuar një program i veçantë për të bërë këtë fillim të vitit shkollor sa më të paharrueshëm për fëmijët. Nxënësit u gëzuan me një teatër dhe vallzim të përgatitur për ta, të cilat i dhanë ngjyra dhe gëzim fillimit të tyre në shkollë.

Pjesë e kësaj dite festive ishte edhe drejtoresha e shkollës, Aferdita Hoda, e cila ndau dhurata për çdo nxënës të klasave të para, duke i dhënë një fillim të ngrohtë dhe mbështetje për rrugëtimin e tyre të ri në shkollë.

Ky aktivitet u prit me shumë gëzim nga nxënësit dhe prindërit e tyre, të cilët shprehën falënderime për përkushtimin e stafit dhe organizimin e shkëlqyer. Ky fillim i vitit shkollor është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar kujtime të bukura dhe për të ndihmuar nxënësit të ndihen të mirëpritur në ambientin e ri të mësimit.